Ambasadorja franceze në Shqipëri, e shoqëruar edhe nga një grup senatorësh francezë nga Korça, ka komentuar votimin e Parlamentit holandez për rikthimin e vizave për Shqipërinë.
Christine Vasac u shpreh: “Është një vendim i marrë nga Parlamenti holandez. Është një parlament sovran. Duhet kuptuar përmbatja dhe ku do të përfundojë. Ka një procedurë të tërë dhe nuk jemi të sigurtë nëse do të ketë një përfundim”.
E pyetur për zhvillimet në Shqipëri, ajo tha se nuk i lejohet të komentojë si diplomate që është: “Nuk e dimë cili do të jetë kalendari i Evropës që, siç e dinë të gjithë, mund të rrëshqasë. Por, dua t’ju them se në sajë të kësaj vizite të nivelit të lartë të senatit francez u kuptuan ndjeshmëri të ndryshme politike. Dhe shpresoj që do të nxisë në një farë mënyre reflektimin”.
Sipas një senatori francez që e shoqëronte ambasadoren, vendimi per vizat është i pafavorshëm për gjithë Evropën: “Vendimi i Parlamentit holandez është vendim i pafavorshëm edhe ndaj Evropës. Është i njëanshëm dhe nuk mendojmë se ky vendim do të ketë ndikim në qëndrimin e Bashkimit Evropian”.
Top Channel