Mospëlqimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Holanda është një histori e gjatë, e cila nuk nisi një ditë më parë me kërkesën e Parlamentit për heqjen e liberalizimit të vizave ndaj shtetasve shqiptarë.

Edhe një vit më parë, ishte Holanda, e cila nën moton “Strikt, por të drejtë”, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së shprehu skepticizëm të thellë për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Zëdhënësja e partisë CDA, deputetja Madeleine van Toorenburg tha fjalë të ashpra në Parlament dhe kërkoi më pak shqiptarë në vendin e saj, në një formë që do t’i përshtatej partisë politike të ekstremit të djathtë, PVV.

Deputetët kërkues të rikthimit të vizave nuk iu bindën fakteve dhe shifrave për kriminalitetin shqiptar, paraqitur në Parlament nga Qeveria e Holandës. Si arsye kryesore për rikthimin e vizave, 5 parti politike në Holandë përdorën atë që ata e cilësuan si “rritje serioze e krimit të organizuar të shqiptarëve në Amsterdam dhe Roterdam”.

Por, sa qëndron ky argument i përdorur në Parlament?
Top Channel, bazuar në të dhënat zyrtare të “Statline” të Holandës sjell të dhënat statistikore të shqiptarëve që kanë pasur probleme me ligjin gjatë dy viteve të fundit.

Po të shohim të dhënat mbi shkeljet penale nga shtetasit shqiptarë të dyshuar në Holandë, nga 710 persona në vitin 2016, ato kanë zbritur në 499 në vitin 2017 dhe në 470 persona të dyshuar në vitin 2018. Për më tepër, midis 244.500 të dyshuarve në regjistrin përkatës të autoriteve holandeze për vitin 2018, shqiptarët përbëjnë vetëm 0.2% të rasteve.

Në letrën dërguar nga ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë, për Parlamentin e Holandës, theksohej që Komisioni Europian vlerëson kriteret që lidhen me udhëtimin pa viza për të gjitha vendet që kanë një regjim të tillë vizash.

Raporti i KE-së, i dhjetorit 2018, shprehet qartë se Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret për udhëtim pa viza. Edhe ky fakt u anashkalua nga deputetja Van Toorenburg dhe disa deputetë të tjerë, duke e zhvendosur debatin në Parlamentin holandez, nga gjuha e fakteve tek urrejtja ndaj shqiptarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA