Shkelje e të drejtave të autorit dhe evazion fiskal/ Si përfunduan në gjyq Bujar Hudhri dhe pronarja e librarisë për librat e Kadaresë

03/02/2026 16:00

Bujar Hudhri, botuesi i Ismail Kadaresë dhe Mirela Bardhi, pronarja e një librarie në Tiranë kanë përfunduar të dy në gjyq, pasi akuzuan njëri-tjetrin për shkelje të të drejtave të autorit dhe evazion fiskal.

Hetimi nisi nga një kallëzim në 2024 nga familjarja e Bujar Hudhri që e dyshonte Bardhin për kopjim të librave origjinalë.

Sipas Hudhrit, libraria ka falsifikuar veprat e shkrimtarit të madh Ismail Kadaresë dhe i ka shitur ato si kopje origjinale. Nga ana tjetër, Bardhi ka denoncuar Hudhrin për evasion fiskal.

Në dosjen e parë nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Hudhri akuzohet për veprën penale “fshehja e të ardhurave”.

Hetimi ndaj Mirela Bardhit ka nisur për veprën penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Fshehja e te ardhurave “, ndërsa u sekuestruan librat e Ismail Kadaresë, për të kryer ekspertimin grafik.

Nga ekspertimi janë konstatuar disa ndryshime në grafikë, kapakë, diferencën e fletëve dhe ngjyrën e fletëve. Sipas dosjes hetimore, 31 libra të Ismail Kadaresë mendohen të jenë të kopjuara në librarinë që menaxhon Mirela Bardhi dhe jo origjinale.

Prokuroria i është drejtuar edhe drejtorisë tatimore sipas detyrave që i kishte lënë gjyqtarja paraprake referuar fletëdaljeve nga shtëpia botuese Onufri drejt librarisë, të cilat siç akuzon prokuroria nuk janë deklaruar duke sjellë shmangie për të paguar detyrimet tatimore

Top Channel