Pas emocioneve të forta të përjetuara mbrëmjen e djeshme, këtë të mërkurë do të luhen dy ndeshjet e tjera të fazës çerekfinale të Champions League, që do të përcaktojnë edhe dy skuadrat e tjera gjysmëfinaliste, që do të sfidojnë Barcelonën dhe Ajaksin tashmë të kualifikuar.
Vëmendja më e madhe do të jetë në “Etihad Stadium”, ku Manchester City do të luajë ndaj Tottenhamit, me kampionët e Anglisë që do të kërkojnë të përmbysin humbjen e ndeshjes së parë 1-0 të pësuar në Londër, gjë që u theksua edhe nga vet trajneri Guardiola para ndeshjes.
Nga ana tjetër, trajneri i “Spurs”-ave, Pochettino kërkoi që lojtarët e tij të kenë besim se mund t’i ndalojnë “Citizens” në këtë sfidë, për të kaluar kështu në gjysmëfinale.
Te Manchester City do të mungojë vetëm portieri Bravo, ndërkohë që në dyshim janë Fernandinho dhe Zinchenko. Ndërsa te Tottenhami, mungesa më e rëndësishme është ajo e Harry Kane, ndërkohë që nuk do të luajën as Aurier, Dier dhe Winks.
Skuadra që do të fitojë këtë përballje do të luajë me Ajaksin në gjysmëfinale. Në ndeshjen tjetër, Porto do të presë Liverpoolin në “Estádio do Dragão” me synimin për të përmbysur humbjen 2-0 të pësuar javën e kaluar në “Anfield Road”.
Skuadra portugeze do të ketë në dispozicion për këtë sfidë Pepen dhe Herrerën, që vijnë pas skualifikimit, ndërkohë që nuk ka asnjë mungesë. Trajneri Conceição vlerësoi në maksimum skuadrën e Liverpoolit, që është edhe finaliste e kompeticionit të sezonit të kaluar.
Te “The Reds”, Jurgen Klopp do të besojë te të zakonshmit Salah dhe Firmino, ndërkohë që në dispozicion të tij nuk do të jenë Brewster, Oxlade-Chamberlane dhe Lovren. Në gjysmëfinale, fituesen e përballjes Porto-Liverpool e pret skuadra e Barcelonës.
Top Channel