Prindërimi është një profesion shumë i vështirë. Kohët kanë ndryshuar, e po ashtu edhe mënyra e sjelljes me fëmijën. Azbija është 90 vjeç.
“Kam një vit që shes punime që i bëj me dorë. Rrita 4 fëmijë. I lashë të lirshëm dhe shumë të mirë m’u bënë. Dy i kam me shkollë dhe dy punojnë. Burri ishte i sëmurë, unë punoja të gjithë ditën në kopshtin zoologjik, ata rritën njëri-tjetrin”, thotë Azbija.
Nga një anë kemi familje që besojnë në tutelën dhe kontrollin patologjik të fëmijës.
“Nga ana tjetër kemi familje që kanë hequr dorë nga prindërimi. Ka një liberalizim të marrëdhënies dhe kemi prindër që nuk i thonë dot ‘mos’ fëmijës. Një fëmijë rritet i shëndetshëm kur i mësohet çfarë është e lejuar dhe çfarë jo. Kufiri nuk vendoset me dhunë, por me komunikim”, tha Gëzim Tushi, sociolog.
A mund të jetë prindi, shok i fëmijës?
“Prindi nuk është shok. Është tjetër gjë ai teatri që luhet për ta afruar dhe për t’i rritur vetëbesimin, por familja është institucioni i disiplinës”, tha më tej sociologu Gëzim Tushi.
Një shprehje thotë se, më e vështirë është të rritësh një fëmijë, sesa të ndërtosh një fshat.
“Tërhiq e mos e këput, i thotë populli. As liberal, se të rrëshqasin dhe as autoritar. Prindi është psikologu më i mirë”, thotë një qytetar.
Top Channel