Faza e “playoff”-it në NBA nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për kampionët në fuqi të Golden State, që fitoi ndeshjen e parë në derbin kalifornian me Los Angeles Clippers 121-104.
Skuadra e Warriors e vendosi sfidën në drejtimin e dëshiruar që në pjesën e parë të sfidës, të cilën e mbylli me rezultatin 69-56. Protagonisti për Golden State në parket u bë Stephen Curry me 38 pikë të shënuara, 24 nga të cilat nga distanca e 3 pikëve, duke u bërë shënuesi më i mirë në historinë e “playoff”-it në NBA me gjuajtjet për 3 pikë. Me pikët e shënuara ndaj Los Angeles Clippers, Curry shkoi në 386 pikë të shënuara nga distanca, duke lënë pas një tjetër specialist në këtë aspekt të lojës, Ray Allen, me 385.
Duke u kthyer te ndeshja, në këtë sfidë pati edhe momente nervozizmi dhe këtë e tregon përjashtimi nga parketi i Kevin Durant dhe Patrick Beverly.
Fitore shënoi edhe San Antonio që mund të quhet në një mënyrë edhe surpriza e mbrëmjes. Skuadra teksane iu imponua Nuggets 101-96, duke marrë kryesimin në serinë e përballjeve me të (1-0). Në këtë ndeshje Denver ishte e detyruar që të ndiqte në rezultat skuadrën e San Antonios, që është një skuadër eksperte kur bëhet fjalë për ndeshjet e fazës së “playoff”-it. Teksanët e mbyllën pjesën e parë 59-51, ndërsa pas pushimit të ndeshjes e çuan diferencën deri në 17 pikë, me Denverin që gjithsesi gjeti mundësinë të reagojë për të qenë në lojë deri në fundin e sfidës. Kur kishin mbetur 13 sekonda nga fundi, San Antonio kryesonte vetëm me 1 pikë (97-96) kur Jamal Murray gaboi në dy momente që u shfrytëzuan nga Spurs, që shënuan 4 pikët e fundit të sfidës për ta mbyllur atë 101-96.
Një tjetër surprizë e mbrëmjes në raundin e parë të fazës së “playoff”-it është edhe fitorja e Orlandos në “Scotiabank Arena” të Torontos, teksa mposhti skuadrën kanadeze 104-101 në sfidën e parë me të. Ishte një gjuajtje e saktë për 3 pikë e D.J Augustin 3.5 sekonda nga fundi i ndeshjes ajo që i dha fitoren skuadrës nga Florida. Për Toronton vijon makthi i ndeshjeve të para në fazën e Playoffit dhe deri tani bilanci i kanadezëve është 2 fitore dhe 14 humbje në këtë aspekt.
Në ndeshjen tjetër të “playoff”-it në NBA, Philadelphia humbi ndaj Brooklyn Nets me rezultatin 102-111.
Top Channel