Nderohet Nicky Hayden, ‘MotoGP’ tërheq numrin me të cilin garonte

13/04/2019 14:13

Nicky Hayden hyn zyrtarisht tek të pavdekshmit e motoçiklizmit. Dy  vjet pas ndarjes nga jeta të Kentucky Kid, drejtuesit e Botërorit të ‘MotoGP’ vendosën që të tërheqin numrin me të cilin ai garonte në motorin e tij, 69, duke organizuar një konferencë për shtyp në prag të ndalesës së radhës së këtij kampionati që është pikërisht në Austin të Texasit në SHBA.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin të gjithë familjarët e kampionit të botës të vitit 2006, mes të cilëve vëllai i Nicky Hayden, Tommy e i ati Earl, me këtë të fundit që e kishte të pamundur të mbante lotët teksa mori në duart e tij numrin 69 të djalit të tij.

Po kështu të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Hondës me të cilin Kentucky Kid fitoi titullin e vetëm kampion  bote në MotoGP. Ndërkaq nëpërmjet rrjeteve sociale MotoGP i bëri edhe një homazh Nicky Hayden teksa publikoi video që përshkruanin karrierën e tij dhe atë të momentit kur festoi titullin e tij për pilotë të fituar 13 vjet më parë.

Top Channel