E zhytur deri në fyt në lëngun e errët viskoz, Sulfia buzëqesh e kënaqur, me besimin se substanca do ta kurojë atë. Ajo është një ruse 60-vjeçare, që ka udhëtuar drejt qytetit veri-perëndimor të Azerbajxhanit, Naftalan, me shpresën se banjat në naftë të papërpunuar në një sanatorium lokal do t’i japin fund vuajtjeve të saj shumëvjeçare nga reumatizma.

Ajo zhytet në naftë të ngrohur në temperaturën e trupit për 10 minuta e pas kësaj një ndihmës ia fshin naftën nga lëkura dhe e dërgon në dush. Resorti në vendin e pasur me naftë në Kaukaz po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, nga vendi por edhe përtej tij.

Depozitat e mëdha të naftës në Azerbajxhan janë zbuluar në mesin e shekullit të 19 duke e bërë vendin që asokohe ishte pjesë e Perandorisë Ruse, një nga vendet e para në botë që nisi prodhimin komercial të naftës. Eksporti i naftës në tregjet e botës është një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë së vendit, por nafta e papërpunuar që vjen nga rezervuarët në Naftalan, nuk është e përshtatshme për përdorim komercial.

Sidoqoftë, nafta lokale e gjen një përdorim, trajton sëmundjet muskulore, të lëkurës dhe kockave, si edhe problemet gjinekologjike dhe neurologjike.

Mjekja Fabil Azizova shprehet: “Legjenda e trajtimit me naftë në Naftalan është e tillë: në kohët e vjetra, kur karvanët udhëtonin këndej rrotull, kishte një gamile të sëmurë që nuk mund të ecte më dhe ajo u la këtu të vdiste. I gjithë trupi i saj ishte infektuar. Kur u kthyen, njerëzit e karvanit u habitën kur panë se gamilja ishte ende gjallë e madje shëdoshë e mirë. Ata filluan të pyesnin veten si gamilja ishte shëruar dhe kuptuan se kishte burime natyrore me efekte terapeutike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA