Mercedesi dhe Ferrari janë shfaqur shumë pranë njëra-tjetrës në dy sesionet e provave të lira për Çmimin e Madh të Kinës, që do të zhvillohet këtë fundjavë.

Por, nëse në sesionin e mëngjesit, Sebastian Vettel i Ferrarit ishte më i shpejti, në sesionin e pasdites finlandezi Bottas vendosi kohën më të mirë dhe pa të tjerët të renditeshin pas tij. Distanca, në fakt, tregon se dueli për fitoren në fundjavë do të jetë i ashpër.

Bottas e mbylli me kohën 1 minutë, 33 sekonda e 33 të qindtat, me vetëm 27 të mijëtat më pak sesa gjermani i “kokëkuqes”, i cili në sesionin e parë kishte lënë pas vetes me pak më shumë se dy të dhjetat kampionin Lewis Hamilton.

Ferrari duket se konfirmoi shpejtësinë e njëvendësheve të saj, me Vettelin që ishte shumë i shpejtë edhe me gomat e forta, por edhe Mercedesi është përmirësuar në krahasim me Bahreinin.

Ajo që shqetëson më shumë në Maranello është fakti që Charles Leclerc u desh të rihynte në bokse rreth 25 minuta nga fundi i sesionit, duke regjistruar vetëm kohën e 7 më të mirë. Sipas asaj që konfirmuan nga bokset e skuderisë italiane, hyrja e detyruar e makinës me numrin 16 në bokse ishte masë paraprake për shkak të një kontrolli që duhej bërë në sistemin e ftohjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA