Sot i ftuar në Top Talk ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i cili ka folur për vizitë e zyrtarit të lartë amerikan, Matthew Palmer.
Ish-deputeti tha se mesazhet e zotit Palmer ishin të qarta, ku mesazhi kryesor shkoi për qeverinë dhe legjitimitetin e saj dhe i dyti për opozitën, e cila duhet të ri-integrohet në pozicionet e saja, të futet në zgjedhje.
“Zoti Palmer vjen në Shqipëri në pozitat e një shtetari të lartë amerikan dhe vjen këtu për të mbrojtur interesat amerikane. Misionin e ka realizuar. Nuk pati rezultat konkret për Shqipërinë, por besoj se ajo ishte një vizitë me mesazh që pati efekt të menjëhershëm. Palmer ishte i vrazhdë në qartësinë e tij. Opozita është e detyruar që të futet në zgjedhjet dhe djegia e mandateve të shërbejë si një kauzë e shoqërisë shqiptare dhe se alarmimi i opinionit ndërkombëtar, nuk ka vlerë. Ky është një mesazh që u artikulua në të gjitha takimet e zotit Palmer”, tha Patozi.
Më tej Patozi foli edhe për qëndrimin publik të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe presidentit Meta. Pas takimit, zoti Basha heshti në lidhje me atë që kishte diskutuar me zyrtarin e lartë amerikan, duke folur në vija të përgjithshme. Për sa i përket zonjës, Kryemadhi, ajo është shprehur më e drejtpërdrejtë, duke thënë se shqiptarët i zgjedhin vetë problemet e tyre.
“Zonja Kryemadhi ka bërë një deklarate emocionale. Është e nxituar, gjë që nuk e pash tek bashkëshorti i saj, i cili ruajti një lloj qetësie dhe dashurie në lidhje me takimin që pati me zotin Palmer. Interes për shoqërinë tonë është të dijë se çfarë thonë Shtetet e Bashkuara për atë që ne e cilësojmë si krizë. Nuk ka rëndësi se çfarë thonë aktorët politik”, tha Patozi.
Top Channel