Djegien e mandateve, ish-deputeti demokrat e cilësoi si një gjest të gabuar dhe se kjo ka shkuar në interes të Edi Ramës. Sipas tij, Partia Demokratike është në udhëkryq të rrezikshëm
“Pra djegia e mandateve , është më e rëndë se gjithë zullumet e Edi Ramës. Këtë dhuratë ia ka bërë atij Lulzim Basha Kjo është një gafë politike dhe që Basha ka një mungesë vizoni. Basha ka gabuar në llogaritë e tij, së bashku me Monika Kryemadhin. Ka qenë një vendim i marrë nga 2 apo 3 persona. Zoti Berisha e ka mbrojtur fort këtë shtysë dhe mund të ketë ndikuar. Edhe sikur të jetë e vërtetë që Basha ka presion nga Berisha, ka përgjegjësi. Kjo tregon se është i padenjë që të drejtojë Partinë Demokratike. Për fat të keq Partia Demokratike është në udhëkryq të rrezikshëm, në greminë sepse në të dyja rastet sot në mesazhet që u dhanë dje, opozita është e humbur. Të hyjë në zgjedhje, është e humbur se i bie kauza dhe del që djegia e mandateve është një gabim, pra duhet të pranojë gabimin e djegies së mandateve. Në rast se nuk hyn në zgjedhje, bën një gabim akoma më të madh sepse humbet përfaqësimin në të gjitha nivelet dhe rrezikon zhdukjen”, tha ish-deputeti demokrat.
Më pas zoti Patozi shtroi edhe zgjidhjen, duke kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike.
“Në politikë çdo gjë ka zgjidhje. Si mundësi shikoj që Lulzim Basha të pranojë që ky ishte një gabim dhe të japë dorëheqjen, e të shpëtojë Partinë Demokratike. Besoj që Basha ia ka kaq borxh Partisë Demokratike, që të mos sakrifikojë PD së bashku me veten, në këtë qorrsokak. Mospjesëmarrja në zgjedhje është një akt ekstrem politik, i cili nuk gjen kurrë asnjë portë të hapur në Perëndim dhe Lindje. Zgjedhjet lokale janë shumë më të këqija se zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet lokale, nuk ka kurrë zgjedhje të parakohshme. Ai që merr mandatin, e çon deri në fund. Nëse nuk merr pjesë, i jep mundësinë Edi Ramës që të fitojë në 90 -100% të bashkive. Do të thotë që i ke dhënë në tavolinë një kapital të çmuar dhe kjo është një kosto e madhe për Partinë Demokratike , një përgjegjësi që unë nuk do ta mbaja kurrë mbi shpinë.
Nëse Basha jep dorëheqjen, udhëheqësi tjetër mund ta shpëtojë Partinë Demokratike sepse nuk ka përgjegjësi për djegien e mandateve e të futet në zgjedhje. Pse jo, mund të konkurrojë qeverinë , sepse qeveria nuk është sot kaq e fortë, jo për shkak të sondazheve, por për shkak se ka humbur shumë nga kredibileteti i saj”, u shpreh Patozi.
Top Channel