Duke nisur nga viti 2024, turneu më prestigjioz për klube në kontinentin e vjetër do të ndryshojë format, ndërsa ka qenë e përditshmja franceze “L’Equipe” këtë të mërkurë, që ka zbuluar strukturën e re të Champions League, sipas propozimit të Shoqatës së Klubeve Europiane (ECA) të drejtuar nga presidenti Andrea Agnelli.
Agnelli, njëkohësisht drejtues i Juventusit, e ka shprehur edhe para pak ditësh dëshirën që të mund të luhen më shumë ndeshje ndërkombëtare. Formula e re i plotëson kështu dëshirën, pasi do të mund të zhvillohen plot 14 ndeshje vetëm në fazën e grupeve.
Sipas këtij formati, 32 skuadrat pjesëmarrëse do të ndaheshin në 4 grupe me nga 8 skuadra secila. Më pas, me të përfunduar faza e parë, 4 të parat që kualifikohen nga çdo grup, përveçse sigurojnë kalimin në fazën e 1/8-ave të atij sezoni, sigurojnë kualifikimin automatik edhe në Championsin e edicionit të radhës.
Me gjasë nuk do të ketë më kalim nga Champions për në Europa League, mes skuadrave të eliminuara që do të kenë fate të ndryshme: vendet e pesta do të kualifikoheshin për në fazën e grupeve të Championsit pasardhës, ndërsa ekipet e vendeve 6-7 do të sfidoheshin në “play out” për 4 vendet e tjera të mbetura për edicionin pasardhës të Championsit. Skuadrat e eliminuara këtu do të mund të marrin pjesë në Europa League.
Ekipet që renditen të fundit në grup, pra vendet e teta, do të kualifikoheshin për në turet parakualifikuese të Europa League për edicionin e ri. Në këtë mënyrë, 24 nga 32 skuadrat pjesëmarrëse, edhe pse mund të mos e sigurojnë kualifikimin në fushë në kampionatet e tyre respektive, mund të sigurojnë pjesëmarrjen në edicionin e ri të Championsit përmes kësaj formule.
Shpresa ka edhe për të tjerët, pasi do të mbeteshin 8 vende të lira për gjysmëfinalistët e Europa League dhe 4 skuadrave kampione në vendet e tyre, që nuk kanë mundur të kualifikohen nga edicioni i kaluar.
Top Channel