Shoqata e Bankave deklaroi se grabitjet e përsëritura të parave në Aeroportin e Rinasit kanë krijuar një klimë të papranueshme sigurie, jo vetëm për biznesin, por edhe për jetën e njerëzve.
“Lajmi dje nuk ishte vjedhja e parave. Lajmi dje ishte se paratë u vodhën në hangarin e avionit. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë klimë”, deklaroi Spiro Brumbulli.
Shoqata e Bankave thotë se përgjegjësia kryesore për këtë ngjarje të rëndë bie mbi aeroportin. Por, sipas saj, edhe autoritetet kanë pjesën e tyre të dështimit: “Moszbardhja e ngjarjeve të mëparshme frymëzon ngjarjen e radhës. Kjo kërkon vëmendjen e institucioneve, pasi ngjarja e djeshme nuk është e izoluar, por është ngjarja e radhës e një sërë ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur javët dhe muajt e fundit me sigurinë në vend”.
Veç panikut, vjedhjet e përsëritura në Rinas kanë edhe kosto financiare, e cila bie direkt mbi qytetarët. Ndonëse paratë e vjedhura fillimisht kompensohen nga shoqëritë e sigurimeve, kostoja finale e tyre paguhet nga qytetarët. Për shkak të vjedhjeve të herëpashershme, shoqëritë ndërkombëtare të sigurimeve kanë rritur çmimin e siguracioneve për bankat shqiptare, të cilat këtë kosto shtesë ia përcjellin qytetarëve, duke rritur komisionet dhe interesat e kredive.
Shqipëria është një nga vendet me koston më të lartë të krimit në Europë. Sipas BERZH-it, në Shqipëri krimi i merr biznesit mesatarisht 6.5% të xhiros bruto, përmes vjedhjeve, gjobave apo kostove ekstra të sigurisë, para’ të cilat në fund paguhen gjithmonë nga qytetarët.
Top Channel