Interi duhet të sigurojë një vend në zonën Champions për sezonin e ardhshëm, një detyrë që nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi bashkë me zikaltrit, në garë janë edhe 5 skuadra të tjera.

Por, është pikërisht ky objektiv që do të përcaktojë edhe të ardhmen e trajnerit Luciano Spalletti. Sipas asaj që publikohet në medien italiane, Spallettit i kërkohet pikërisht kualifikimi i Interit në kompeticionin më të rëndësishëm europian, e më pas do të ketë një divorc mes tij dhe klubit, me këtë të fundit që ka nisur punën për gjetjen e zëvendësuesit të tij.

Mësohet se presidenti i zikaltërve, Steven Zhang, ka autorizuar tashmë Beppe Marottën të nisë bisedimet me Antonio Conten, për ta bindur atë që të ulet në stolin e skuadrës milaneze. Por, problemi i Interit në këtë pikë qëndron pikërisht te paga e Contes, që pretendon një kontratë prej 10 milionë eurosh në sezon, e njëjta pagë që ai përfitonte edhe kur ishte trajner i Chelseat.

Shifër kjo, shumë e lartë, por që duket se nuk i tremb shumë pronarët e Interit.

Rruga është ende e gjatë në lidhje me këtë histori, por nëse Conte do të marrë drejtimin e Interit, në skuadër do të ndryshojnë shumë gjëra, duke nisur nga çështja Icardi, që së fundmi është vënë edhe në shënjestrën e Atletico Madrid, si zëvendësuesi i mundshëm i Griezmann ose Diego Costës.

Conte do ta mbante Icardin dhe do të hidhej në merkato, ku do të kërkonte përforcime për repartin e mesfushës, për të cilin mendohet se duhet ndryshuar tërësisht.

Top Channel