60 minutat e bisedës që pati me zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, i cili nuk e mbështeti aktin e djegies së mandateve, Lulzim Basha e përmblodhi në pak rreshta në Twitter.

“Bisedë e hapur dhe konstruktive me Matthew Palmer mbi situatën: mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pandëshkueshmëria, krimi, korrupsioni dhe kriza politike. Përkushtim i përbashkët për demokraci, shtetin e së drejtës dhe mirëqeverisjen si rruga e vetme për stabilitet dhe Shqipërinë në BE”, shkroi Basha në rrjetin social.

Pas takimit, Basha nuk u ndal të komentonte për mediat që e prisnin mesazhet e zotit Palmer, ndërsa zyra e shtypit e PD-së shpërndau takimet e një ditë më parë të kryetarit demokrat në Kukës dhe Kurbin, ku ai bënte të qartë se nuk do dialogojë me Edi Ramën.

“Asgjë nuk do të përparojë, asnjë dialog nuk do të nisë pa larguar shkaktarin dhe arkitektin e narko-shtetit. Dhe mesazhi që kumbon kudo është ky: nuk do të ketë më demokraci fallco, nuk do të pranojmë më Parlament fallco, nuk do të pranojmë më drejtësi fallco, nuk do të pranojmë më ekonomi fallco”, tha Basha.

Liderët e opozitës zhvilluan takime të ndara me zyrtarin amerikan. Për kryetaren e LSI -së, këtë herë kriza do të zgjidhet pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve: “Z. Palmer shprehu opsionet e veta, ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona. Sigurisht që përputhen përsa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në BE. Z. Palmer nuk kishte ardhur për t’i dhënë zgjidhje përsa i përket konfliktit. Mos harroni që hallet tona do t’i zgjidhim ne shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin”.

Takimi me Presidentin Ilir Meta përmbylli vizitën e zyrtarit amerikan në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA