Foto ilustruese

Në ditën e parë të kuqezinjve në pedanën e Europianit të peshëngritjes, Shqipëria numëron një medalje të artë dhe dy argjendi.

Briken Çalja respektoi pritshmëritë dhe bëri një garë të denjë, në turneun që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, duke u shpallur më i miri në shkëputje, por i dyti në shtytje dhe në dygarësh për peshën deri në 73 kg.

Sportisti nga Shtërmeni ishte në lartësinë e duhur në stilin e shkëputjes, ku e mbylli me 156 kilogramë, por më pas nuk ia doli të lërë pas të gjithë pretendentët. Në provën e parë në shtytje, Çalja dështoi me shtangën 183-kilogramëshe, ndërsa po të njëjtën peshë arriti ta ngrejë në tentativën e dytë.

Sportisti kuqezi tentoi rekordin europian në provën finale, duke mbyllur gjithsesi një paraqitje mjaft të mirë.

Në dygarësh, Briken Çalja e mbylli me 339 kg në total, i parakaluar nga gjiganti bullgar, Bozhidar Andrejev, që vendosi në Batumi edhe rekordin e ri europian.

Të mërkurën do të garojnë dy peshëngritësit e tjerë, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj, në peshën 81 kg, e më pas do të jenë Krenar Shoraj, që konkurron në peshën deri në 89 kg, e në fund Endri Karina në peshën 102 kg.

Top Channel