Kampionati europian i basketbollit për meshkuj, “EuroLeague” do të bëhet me 18 skuadra pjesëmarrëse sezonin e ardhshëm, nga 16 që ka pasur deri më sot. Ky është një nga vendimet e marra pas takimit mes Shoqatës së Lojtarëve, të zhvilluar në Milano në ditët e kaluara.

Në atë takim u vendos gjithashtu, sigurisht pas një marrëveshjeje të arritur, edhe data e fillimit të sezonit të ri të “EuroLeague”-s, që do të jetë më 3 tetor, ndërkohë që gjithçka do të mbyllet më 9-10 prill të vitit 2020.

Një ndryshim është edhe data e fazës së “Final Four”, e cila afrohet me një javë në krahasim me 3 sezonet e fundit. Kështu, “Final Four” i sezonit të ardhshëm do të luhet më 21-24 maj të vitit 2020, në Athinë.

Në sezonin aktual janë përcaktuar tashmë skuadrat që do të luajnë në fazën e “play off”-eve, ku bien në sy ekipe si Fenerbahçe, CSKA e Moskës, Real Madrid, Barcelona apo Panathinaikos. Faza e “play off”-eve të “EuroLeague”-s do të nisë javën e ardhshme dhe do të mbyllet më 30 prill/1 maj, nëse ndonjëra prej përballjeve do të shkojë në ndeshjen e pestë.

Top Channel