Erion Veliaj do të ulej në karrigen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, më 30 korrik të vitit 2015. Që në ditën e parë si kryebashkiak, Veliaj u zotua për t’i dhënë kryeqytetit një frymë të re, më moderne, për ta kthyer në një qytet të jetueshëm për njerëzit.

Sheshi “Skënderbej”, “Pazari i ri”, “Bulevardi i ri” ishin në fokusin e ndryshimit të Veliajt për t’u transformuar në 4-vjeçarin e mandatit të tij si kryebashkiak.

Pas vlerësimeve në Bienalen e Chicagos, sheshi “Skënderbej” mori çmimin prestigjioz europian për Hapësirën Publike Urbane 2018, duke u përzgjedhur mes 279 projekteve nga 32 vende të ndryshme europiane.

Ky shesh, që ra prè e “zhurmës” politike, është duke garuar në finalen e madhe të çmimit më prestigjioz të arkitekturës “Çmimi i BE-së për Arkitekturën Bashkëkohore” që mban emrin e legjendarit Mies Van Der Rohe.

“Pazari i ri” fitoi çmimin e parë ndërkombëtar në Londër nga organizata “Emerging Europe”, krahas shumë konkurrentëve të tjerë.

Krahas rehabilitimit të rrugëve edhe nëpër blloqet e lagjeve të banimit, Erion Veliaj nisi projektin për korsitë e dedikuara për biçikletat. Projekti parashikoi ndërtimin e rrjetit minimal të biçikletave, duke ndërtuar 10 km korsi të dedikuara. Ndërsa sot, ambicia e Bashkisë së Tiranës është për më shumë hapësira, për ata që pedalojnë.

Filozofia e ndërtimit të qytetit u fokusua te fëmijët. Rikonstruksioni i çerdheve dhe kopshteve në kryeqytet e përballi disa herë Veliajn në përurime, duke premtuar se fokusi do të jetë edhe te ndërtimi i shkollave të reja, duke i shpallur luftë mësimit me dy turne. Në mandatin e tij, administrata “Veliaj” ndërtoi 5 shkolla të reja, duke parë si sfidë për mandatin e dytë në krye të Tiranës ndërtimin edhe të 17 shkollave të reja për vitin 2019.

Erion Veliaj u përfshi në fillim të vitit 2016 në një përplasje të fortë mes Bashkisë dhe Shoqërisë Civile, ku jashtë nuk mbeti as Presidenti i Republikës. Kjo përplasje vinte për ndërtimin e këndit të lojërave për fëmijë në Parkun e madh të Liqenit artificial.

Pas kësaj përplasjeje, e cila u finalizua me ndërtimin e saj, Veliaj ndërtoi edhe 43 kënde lojërash në lagje të ndryshme të kryeqytetit, duke premtuar se në mandatin e dytë fokusi do të jetë te të tjera kënde në Krrabëm Dajt, Kashar, Farkë dhe Vaqarr.

Me Planin e ri të Përgjithshëm Vendor të Stefano Boerit, Tirana nisi punën për Pyllin Orbital, një kurorë e gjelbër me 2 milionë pemë që do të rrethojë deri në vitin 2030 kryeqytetin.

“Ditët pa makina”, aksionet vullnetare të pastrimit dhe kthimi i një sërë rrugësh në pedonale u realizuan për të ulur ndotjen e ajrit në kryeqytet.

Veliaj u zotua për një reformim të thellë në transportin publik, u shtuan linjat brenda qytetit dhe flota e autobusëve, duke premtuar edhe futjen e autobusëve elektrikë, çka ka rritur numrin e qytetarëve që zgjedhin transportin publik.

Brenda mandatit të parë, Veliaj shpërndau mbi 2.000 kredi të buta për familjet në nevojë dhe çiftet e reja. Por, Veliaj është njeriu që është sulmuar më tepër për disa vendime sensitive për Tiranën. Ndërtimi i Teatrit Kombëtar ishte dhe vijon të mbetet një konflikt i hapur dhe ndër ndërhyrjet më të kritikuara të Bashkisë së Tiranës.

Skeptikët e punës së tij ngrenë pyetjen nëse Erion Veliaj ngriti më shumë lulishte apo kulla në kryeqytet. A u minimizuan apo u shtuan ndërtimet gjatë mandatit të tij të parë, është një tjetër “patate e nxehtë” e debateve mediatike, ku në qendër është kryetari i bashkisë.

Por, ajo që Veliaj është përplasur më shumë janë prishjet e banesave për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës dhe Bulevardin e ri. Aktualisht, banorë të unazës dhe lumit të Tiranës janë në protesta për prishjen e shtëpive të tyre.

Konflikti më i fundit është hapur ditët e fundit mes UBT-së dhe Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një shkoll të re, në një sipërfaqe trualli ku universiteti pretendon se është i tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA