Plot 160 hotele, prej të cilëve 40 struktura të reja, presin këtë vit turistët në Vlorë. Jo vetëm pushues nga vendi, por edhe turistë nga e gjitha bota kanë prenotuar. Në resortin e vizituar me 5 yje, përgatitjet kanë nisur që në kuzhinë.

“Kemi kërkesa të panumërta, marrin përditë në telefon. Në këtë restorant po mundohem të vë në fokus produktin shqiptar, që nga gjërat më tipike tonat, nga vaji i ullirit te peshku i ditës. Menyja e preferuar në një vend bregdetar, sigurisht që është peshku. Edhe raporti cilësi-çmim është shumë konkurrues”, thotë kuzhinieri Aldo Mehmeti.

Çdo vit e më shumë, në Vlorë shkojnë italianë dhe shumë rusë, madje edhe izraelitë. Menaxherët thonë se investimet e viteve të fundit po e çojnë edhe Vlorën drejt një turizmi elitar.

“Investimet në infrastrukturën e të gjithë qytetit, në tërësi, sikurse edhe ajo turistike që është rritur ndjeshëm, na japin mundësinë që t’u drejtohemi pa drojë tregjeve elitare dhe turistëve elitarë. Në krahasim me vitet e kaluara ka gjithmonë rritje, por gjithsesi nuk është arsye për të qenë shumë optimistë. Është arsye për të na motivuar më shumë”, thotë Besmir Lulaj, menaxher hoteli.

Në Vlorë, përveç hoteleve ka edhe shtëpi pushimi apo “guesthouse”. Strukturat jo vetëm për ushqim, por edhe argëtim nuk mungojnë, që nga bregu deri në mal.

“Vlora nuk ka vetëm turizëm bregdetar, por ka atë kulturor, turizmin e aventurës dhe atë malor. Turistët që vijnë këtu i preferojnë edhe këto lloje të tjera që ofron Vlora”, tha Iliana Paparizo, këshilltare për Turizmin në Bashkinë e Vlorës.

Edhe pse ende nuk është hapur zyrtarisht sezoni turistik nga Bashkia e Vlorës, hotelet dhe restorantet janë bërë gati për pritjen e pushuesve, me dëshirën që kush vjen një herë, të rikthehet përsëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA