Pavarësisht se nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Partia Demokratike ka nisur nga puna për të vënë në zbatim modelin për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia sipas modelit konservator britanik.
Në deklaratën e PD thuhet se dy ekspertë britanikë do të vijnë në Tiranë, për të ndihmuar PD-në në përzgjedhjen e kandidatëve, sipas modelit konservator britanik.
Sipas PD seleksionimi i kandidatëve do të bëhet në tre faza:
Ngritjen e komisionit të seleksionimit të kandidatëve
Përcaktimin e kritereve dhe standardeve për aplikantët që duan të kandidojnë.
Procesin e seleksionimit të kandidatëve përpara votimit nga anëtarësia.
“Partia Demokratike është në fazën finale të përgatitjes së modelit për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia. Për këtë qëllim, janë prej dy ditësh në Tiranë Davis Jones, Kryevlerësuesi i Komitetit të Seleksionimit të Kandidatëve të Partisë Konservatore Britanike dhe Joy Morrissey, ish kandidate konservatore për Bashkinë e Londrës. Përfaqësuesit e lartë të Partisë Konservatore Britanike po ndihmojnë Partinë Demokratike duke ofruar përvojën e konservatorëve britanikë në procesin e përzgjedhjes se kandidatëve demokratë për zgjedhjet parlamentare dhe lokale.
Modeli britanik që do të zbatohet në Partinë Demokratike, i shërben Partisë Demokratike edhe si një Vetting brenda partisë, i cili jep mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve më të përshtatshëm që do të përfaqësojnë PD në parlament dhe në pushtetin lokal”, njofton PD.
Top Channel