Nuk ka histori në Mynih, Bayerni “shkrin” Dortmundin për 45 minuta

06/04/2019 20:28

Ishte sfida më e rëndësishme e sezonit dhe duhej të ishte edhe më spektakolarja, por përballja Bayern Munchen-Borussia Dortmund, e zhvilluar në impiantin “Allianz Arena” të bavarezëve, pati shumë pak histori.

Kjo pasi të besuarit e trajnerit Niko Kovaç dominuan totalisht dhe treguan tërë supremacinë e tyre, duke vendosur fatin e sfidës që në pjesën e parë, pasi shënuan plot 5 herë në portën e verdhezinjve.

Sfida u zhbllokua nga një ish si Mats Hummels, që shënoi në minutën e 10 me kokë, pasi shfrytëzoi mjaft mirë një krosim të ardhur nga këndi.

Më pas ishin Lewandowski, Martinez dhe Gnabry, të cilët shënuan edhe 3 herë të tjera në 45-minutëshin e parë, duke çuar skuadrën në dhomat e zhveshjes në avantazh të 4 golave.

Pjesa e dytë dhuroi një tablo krejt tjetër, me Bayernin që menaxhoi mirë avantazhin e thellë, dhe Dortmundin që nuk kishte forca për të ndryshuar rrjedhën e lojës, ndërsa në minutën e 90’, ishte sërish polaku Lewandowski që shënoi golin e dytë personal dhe vulosi rezultatin 5-0.

Me këtë fitore, Bayerni i Mynihut merr kryesimin e renditjes, në kuotën e 64 pikëve, një më tepër se Borussia e Dortmundit, ndërkohë që kanë mbetur ende edhe 6 javë për t’u luajtur deri në fund të sezonit.

Top Channel