Kjo e shtunë ka rezervuar disa supersfida në futbollin europian. Në Itali, nga ora 18:00 do të luhet Juventus-Milan në “Allianz Stadium”. Skuadra torineze është e qetë në rrugën e saj drejt titullit kampion, kur kanë mbetur 8 javë nga përfundimi i kampionatit, pasi diferenca me Napolin është 18 pikë.

Në krahun tjetër, fitorja për Milanin është një detyrim, edhe pse duket si një mision i pamundur për të. Kuqezinjtë duan që të ndryshojnë tendencën e ndeshjeve e fundit, e të mos e komplikojnë edhe më shumë kualifikimin në zonën e Champions League.

Në Spanjë, “Camp Nou” do të presë duelin mes Barcelonës dhe Atleticos së Madridid. Pas sfidave në mesjavë, diferenca mes katalanasve dhe madrilenëve është 8 pikë, e një fitore e skuadrës së Valverdes e çon atë në 11 pikë, duke i dhënë një tjetër goditje të fortë La Ligës.

Ndërsa Atletico do të tentojë të fitojë për të rihapur llogaritë e kampionatit, por edhe për trajnerin Simeone, që nuk ka mundur të fitojë asnjëherë në shtëpinë e Barcelonës.

Në Gjermani luhet “klasikja” e Bundesligës mes Bayern Munchen dhe Borussias së Dortmundit, një ndeshje që mund të vendosë jo pak për çështjen e titullit në Bundesligë. Ajo në “Allianz Arena” do të jetë sfida e 100 mes dy skuadrave që kanë dhuruar spektakël në vitet e fundit.

Këtë e tregojnë edhe 7 ndeshjet e fundit, teksa të dyja skuadrat kanë shënuar në total 32 gola, me një mesatare prej 4.5 golash për ndeshje.

Në Angli, përveç sfidave të Premier League luhet edhe një gjysmëfinale e “FA Cup”, ajo mes Manchester Cityt dhe Brightonit. Skuadra e Pep Guardiolës, pas eliminimit të Manchester United, është padyshim pretendentja e madhe për të fituar trofeun e dytë sezonal të saj, por Brightoni mendon të mos ia bëjë gjërat të lehta dhe pse jo të shkaktojë surprizën e ta eliminojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA