Edhe në bastionin e PD në Kukës kryeministri Edi Rama u prit me protestë, por për t’ja hequr nga harta të djathtës rifitimin e kësaj bashkie kryesocialisti prezantoi atë të cilin mendon se do t’ja arrijë këtij qëllimi, Safet Gjicin.
“Besoj se ka ardhur koha që bashkinë të na i jepni ne. Kandidatin për kryetarin e bashkisë nuk e sollëm ne, por e gjetëm mes jush. E gjetëm midis jush dhe e gjetëm kampion.”-tha Rama.
Edi Rama kishte edhe një lajm të mirë jo vetëm për mbeshtetësit socialist por edhe ata demokratë.
“Ju e dini mirë çfarë taksirati ishte me nxjerrë votën kur e kishin pushtetin ata. I nxirrej vota nga kutia këtij shkopit që ka ngelur pa flamurë këtu, ishte dhe ministër dhe polic vetë. Kush i tha atij ik nga parlamenti? Mirë që ikën po pse duan të hyjnë me zor çdo të enjte. Ata thonë ne ia mbyllëm derën vetes, ti hape derën për ne. Nuk e bëjmë këtë.”-tha më tej kryeministri.
Edi Rama nuk i kurseu batuat për ish-deputetin demokrat të zgjedhur në këtë qytet.
“Aeroporti i Kukësit ka një potencial të madh dhe do të jetë një aeroport për fluturimet me çmime të ulta, dhe sigurisht që do t’i japi mundësi gjithë çunave të Kukësit të vijnë nga Londra me shumë pak paund. Sot ne këtë punë e nisim për të përfunduar punimet civile brenda një viti dhe pastaj për të bërë sa më shpejt të gjitha certifikimet e nevojshme ndërkombëtare në mënyrë që të fillojnë fluturimet.”-përfundoi kreu i qeverisë.
Edhe rrugës për në aeroport Rama u ndesh me një tjetër protestë të një grupi demokratësh kuksianë.
Top Channel