Manchester United pësoi humbjen e dytë në kampionat, në “erën” Solskjaer, pasi u mposht me rezultatin 2-1 në tranfertën ndaj Wolvesit, të vlefshme për javën e 32-të.

“Djajtë e kuq” kaluan në avantazh që në minutën e 13’ me anë të mesfushorit të ri skocez, McTominay, por ndeshja nuk shkoi aspak në favor të tyre.

Kjo pasi vendasit rikthyen baraspeshën me anë të sulmuesit Jota në minutën e 25-të, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Ashpley Young la Unitedin me 10 futbollistë, pasi mori dy kartonë të verdhë në 5 minuta.

Goli i fitores për Wolves erdhi në minutën e 77’ dhe u shënua nga mbrojtësi i Manchester Unitedit Chris Smalling në portën e shokut të skuadrës, David De Gea.

Ky rezultat komplikon rrugën e “djajve të kuq” për një vend në zonën Champions, pasi mbeten në vendin e pestë me 61 pikë dhe rrezikojnë të parakalohen nga Chelsea, nëse londinezët do të fitojnë nesër ndaj Brightonit.

Top Channel