“Ideja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është zgjidhje e shekullit të XXI-të”, thotë në një intervistë për “Radion Europa e Lirë”, ish-zëvëndësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, Thomas Countryman.

Sipas tij, arritja e një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve duhet të merret nga udhëheqësit dhe qeveritë përkatëse, e ky nuk është një vendim ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara kanë veto.

Ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, sot drejtor i bordit të Asosacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman thekson në këtë intervistë se, shumë vëzhgues të Balkanit druhen që çdo lloj rivendosjeje territoriale mes Kosovës dhe Serbisë mund ketë pasoja negative.

“Kjo mund të çonte në diskutimet nëse kufijtë duhet të jenë në bazë të vijave etnike në vende si Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina dhe do të ishte formula për rikthimin e konflikteve etnike dhe destabilizimin e rajonit”, shprehet ai.

Këshilla e zyrtarit amerikan është që të dyja vendet ta hedhin më mirë vështrimin drejt reformave dhe vendosjes së sundimit të ligjit, gjë që do t’iu mundësonte lëvizjen drejt Bashkimit Europian. Pikërisht ky duhet të jetë, sipas Countryman, fokusi i diskutimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA