Top Talk/ Topi: Bipolarizimi politik u krijua me “dhunë” me 21 prill 2008

01/04/2019 16:10

Ish-presidenti Bamir Topi ka folur sot për situatën politike në emisionin “Top Talk”, të Denis Dyrnjasë. Topi e ka cilësuar situatën politike si mjaft të rëndë dhe se kjo ka ardhur si pasojë e marrëveshjes së 2008. Ish-presidenti kërkoi që palët të ulen për të gjetur konsensus mes tyre, sepse në të kundërt nuk ka Parlament.

“Në vend nuk ka multipartitizëm por bipolarizëm, që është krijuar me “dhunë” me 21 prill 2008. Nisur nga kjo premisë, referuar këtu marrëveshjes Berisha-Rama për ndryshimet Kushtetuese, që do të thotë se konfiguracioni i politikës dhe institucioneve u prish rëndë atë ditë, mbi bazën e një konsensusi të gjerë PD-PS. Kriza e një pale politike fut në krizë edhe palën tjetër, pra është një sistem enësh komunikimi që kërkon një bashkëpunim midis palëve, përndryshe nuk ka Parlament, nuk ka shanse që të zhvillohen zgjedhje normale, nuk ka institucione funksionale. Sot e kanë koncentruar krizën e tyre në mungesën totale të fizionomisë së shtetit në Shqipëri. Kur themi krizë ose jo, nuk duhet të kemi parasysh vetëm dy krerët e partive politike por mjedisin shoqëror politik dhe institucional . Ka një sindromë të rikthimit të krizave ciklike në Shqipëri dhe ka shenja të dukshme të një krizë politike”, tha Topi.

Gazetari Dyrnjaja e pyeti ish-Presidentin nëse bëhet fjalë për krizë morale apo krizë për pushtet, Topi tha se ndryshimi kushtetues i 21 prillit 2008 nuk u bë për parim , por për pushtet. Sipas tij, u bë për të ulur peshën e Presidentit, të zhbalancimi normal që ekziston në demokraci dhe për ta kthyer Shqipërinë në një Republikë kryeministrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA