Rrugët e Strasburgut u pushtuan të dielën nga mijëra persona, që festuan fitoren e skuadrës së qytetit të tyre në Kupën e Ligës franceze.
Finalja u zhvillua mbrëmjen e së shtunës, me Strasburgun që u përball me Guingampin, të cilin e mundi vetëm pas serisë së 11-metërshave, duke qenë se koha e rregullt dhe kohët shtesë u mbyllën në barazim 0-0.
Për Strasburgun, kjo është fitorja e parë e një trofeu të rëndësishëm që nga viti 2005, e suksesi i katërt në histori në Kupën e Ligës. Por, Strasburgu ka fituar edhe 3 Kupa të Francës dhe një titull kampion në Ligue 1, atë të vitit 1979.
Në vitin 2011, kjo skuadër zbriti në kategorinë e pestë të futbollit francez, për shkak të problemeve financiare, për t’u rikthyer në Ligue 1 vetëm në maj të vitit 2017.
Për të festuar këtë fitore, tifozët e Strasbrugut u mblodhën në sheshin “Place De Kleber”, teksa panë që futbollistët e skuadrës të shfaqeshin përballë tyre plot entuziazëm për këtë sukses të arritur, nën tingujt e këngës së famshme “We are the Champions”.
Festimet në “Place De Kleber” me tifozët u zhvilluan pas vizitës së skuadrës së Strasburgut në ambientet e Bashkisë, ku u pritën nga autoritetet më të larta të qytetit, për t’i uruar për këtë triumf që këtij ekipi i mungonte prej kohësh.
Top Channel