Mauro Icardi është rikthyer të stërvitet nën urdhrat e Spallettit prej 10 ditësh, por as kjo dhe as mungesa e Lautaro Martinezit, nuk kanë ndikuar që trajneri zikaltër ta grumbullojë për ndeshjen me Lazion.

Në konferencën për shtyp të dhënë para ndeshjes së sotme, Spalletti ka konfirmuar lënien jashtë të Icardit, ndërsa është shprehur se do të vlerësojë situatën për ndeshjet në vijim.

“Për shumë arsye e kam parë si një lojtar të ri, pasi nuk stërvitet prej shumë javësh me ne. Pikërisht për këtë arsye, duhet ta përfshijmë gradualisht në skuadër dhe për shumë gjëra që kam parë, kam menduar se ai nuk është gati të ndihmojë skuadrën në fushë. Ndaj vendosa që të mos e grumbulloj për ndeshjen e sotme, ndërsa për takimet e ardhshme, do të bëjmë vlerësimet”, tha Spalletti.

Por nga ky vendim ka mbetur i habitur edhe avokati i sulmuesit argjentinas, Paolo Nicoletti, i cili ka bërë ndërmjetësimin mes Icardit dhe drejtuesve zikaltër, për të mundësuar sheshimin e mosmarrëveshjeve mes palëve.

“Që ditën që u rikthye, Mauro u vendos plotësisht në dispozicion të skuadrës, me profesionalitet, duke ndjekur edhe këshillat e mia, që konvenonin me interesin e lojtarit dhe Interit dhe që i kishim akorduar me administratorin Giuseppe Marotta dhe presidentin Steven Zhang. Vendimin për të mos grumbulluar Icardin, nuk e prisja, por duke mos ditur arsyet, nuk mund të komentoj tani. Mund të them vetëm se kam folur çdo ditë me Marottën, i cili më ka konfirmuar se rikthimi i Icardit po ecën me hapa tejet pozitivë”, tha Nicoletti, duke shprehur habinë për mungesën e grumbullimit të argjentinasit.

Interi do të përballet me Lazion mbrëmjen e sotme në “San Siro”, në një sfidë shumë të rëndësishme për renditjen në zonën Champions. Në rast fitoreje, zikaltrit do të përforconin pozitat e tyre në këtë zonë dhe do të mund të vijonin të qetë sezonin.

Top Channel