Ndeshja ndaj Cardiff Cityt mund të kishte qenë e fundit për trajnerin Maurizio Sarri në pankinën e “bluve”, nëse nuk do të ishte materializuar një përmbysje spektakolare ndaj vendasve.
Ekipi londinez nuk e la Manchester United të largohet në renditje, duke mbetur në garë për zonën Champions, por për këtë iu desh të vuante shumë në transfertën uellsiane.
Kamarasa i dha avantazhin Cardiff Cityt, ndërsa shumicën e kohës në stadium dëgjoheshin parullat dhe koret kundër trajnerit të Chelseat, që evokonin shkarkimin. Por, Azpilicueta me kokë riktheu barazimin në minutën e 84-t, ndërsa në minutat shtesë, Loftus-Cheek finalizoi përmbysjen e paimagjinueshme, atë që i shpëton postin trajnerit italian, të paktën për momentin.
Liverpooli arriti të fitojë ndaj Tottenhamit në një mënyrë të çmendur, sukses që frymëzon fushatën e “The Reds” për titullin kampion në Premier League.
Skuadra e trajnerit Jurgen Klopp mori epërsinë me Firminon pas një çerek ore lojë, por nuk mundi ta mbajë atë pas pushimit. Londinezët arritën të çojnë ndeshjen në 1-1, me brazilianin Lukas, duke zhgënjyer mijëra të pranishëm në stadiumin “Anfield Road”.
Por, pikërisht kur nuk pritej, një goditje e Salah solli rrëmujën në zonën e “Spurs”-ave, si dhe një autogol sa të pafat, aq edhe komik për skuadrën mike. Liverpyul është në krye me dy pikë mbi Manchester Cityn, por skuadra e Guardiolës ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar.
Top Channel