Në Kavajë, ku vizitoi një fabrikë të përpunimit të hudhrave, e cila ka përfituar 10 milion lekë nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin, Kryeministri Rama premtoi mbështetje për kompanitë të cilat eksportojnë jashtë vendit.
“Fakti që këta kanë çarë tregun holandez, që është me siklete të jashtëzakonshme nga pikëpamja e standardeve, është niveli më i lartë. Kjo është bujqësia që duam ne, se ajo bujqësia tjetër me shpërnda lekë kot, hidh lekë gjithandej dhe kur vinte puna në fund asnjë s’ishte i kënaqur e të gjithë vetëm mbijetojnë, nuk funksionon. Kështu që ne do ju mbështesim shumë fort. E kemi objektiv, jo vetëm eksportin e prodhimeve të freskëta, apo të përpunuara në këtë nivel, por edhe agro-përpunimin këtu”, tha Rama.
Këtë fundjavë Kryeministri u ndal dhe në Durrës në qendrën shëndetësore NR.6 të rikonstruktuar për herë të parë pas 35 vitesh, si dhe në Golem, në shkollën “Charles Telford Erikson”, një ndër shkollat më të vjetra të profilit bujqësor në vend, e cila u ndërtua krejtësisht e re përmes një investimi nga buxheti i shtetit me vlerë 250 milionë lekë.
Top Channel