Ndërsa hetimet për të gjetur shkaqet e vdekjes së futbollistit Emiliano Sala në Kanalin e La Manshi në 21 janar vazhdojnë, media britanike zbulon detaje të reja.
Sipas BBC, piloti i avionit David Ibbotson ishte daltonik dhe për këtë arsye nuk kishte leje për të fluturuar në orët e mbrëmjes, por vetëm gjatë paraditeve.
Javët e kaluara u zbulua se Ibbotson kishte licencë për fluturim privat nga Britania e Madhe në SHBA, por nuk i lejohej që të merrte pasagjerë në fluturimet e tij në vendet e Bashkimit Evropian.
“Daltonizmi nuk e lejon një pilot që të marrë licencën e fluturimit gjatë orëve të mbrëmjeve, sepse të dallosh ngjyrën e kuqe nga e gjelbra në errësirë është thelbësore për ta bërë një gjë të tillë”, shpjegon një burim i BBC.
Për momentin nuk ka konfirmime nga Enti i Aviacionit Civil Britanik në lidhje me këtë detaj duke qenë se ky institucion nuk ka dashur të japë detaje, por drejtuesit e Air Accidents Investigation Branch kanë deklaruar se licencat e pilotëve vazhdojnë të jenë në qendër të hetimeve.
Trupi i Emiliano Salës u gjet mes mbetjeve të avionit në ishullin Guernsey në 6 shkurt, ndërsa ai i pilotit ende rezulton të jetë i zhdukur.
Top Channel