Pas derbit, Milani pëson edhe humbjen e dytë radhazi në kampionat, teksa doli kokulur nga transferta gjenoveze përballë Sampdorias, me vendasit që triumfuan me rezultatin final 1-0.
Sfida nisi me një gafë të Gigio Donnarummas që në sekondat e para, me portierin kuqezi, që djallosi gjithçka pas një topi të marrë nga Romagnoli, sepse në tentativë për t’ia rikthyer sërish kapitenit, e përplasi topin në këmbët e Defrel dhe pa më pas të ndalej në rrjetën e portës së tij.
Të besuarit e Gattusos tentuan të reagojnë menjëherë, por nuk mbeti pas as Sampdoria, që sulmonte vazhdimisht dhe në të paktën 2-3 raste pati mundësi të dyfishojë avantazhin me anë të sulmuesit veteran Fabio Quagliarella.
Në pjesën e dytë Milani gjeti golin e barazimit, por më parë aksioni ishte ndalur për një faull, ndërsa në minutat e fundit pati edhe pretendime për një penallti në favor të Piatek, por pasi u konsultua edhe me VAR-in, arbitri vendosi të mos e akordojë.
Vërshëllima finale e gjyqtarit la në fuqi fitoren e Sampdorias, që shkon në kuotën e 45 pikëve dhe rrit shanset për një vend në zonën europiane, ndërsa Milani komplikon pozitat në vendin e katërt, pasi rrezikon t’i afrohet Roma, nëse mposht nesër Napolin.
Top Channel