Një ditë më parë, kryeministri Rama theksoi se do të mbetej në krye të qeverisë deri në vitin 2021, e se nuk do të kishte as zgjedhje të parakohshme, e as shtyrje të zgjedhjeve lokale. Por kryeopozitari Basha vijon të theksojë se nuk do të ketë rikthim të jetës normale politike në vend pa pasur zgjedhje të parakohshme, pa Ramën kryeministër.

“Shkaku i kësaj krize politike janë zgjedhjet e blera me krimin e organizuar në vitin 2017”, u shpreh sot Basha, në një prononcim për mediat, i pyetur nga gazetarët për deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale.

Basha paraqiti si zgjidhje të situatës propozimin e opozitës për largimin e qeverisë.

“Është e qartë për çdo shqiptar, është e qartë për mbarë botën demokratike se Shqipëria është në një krizë të thellë politike. Shkaku i kësaj krize politike janë zgjedhjet e blera. Për të mbrojtur veten e tij dhe të gjithë kupolën e organizatës së “Rilindjes” të kapur nga Prokuroria në mënyrë zyrtare, në bashkëpunim me rrjetet kriminale të drogës, Edi Rama ka kapur edhe drejtësinë, ka shkatërruar pushtetin e tretë, ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese”, vijoi Basha.

Basha shtoi se zgjidhja e vetme politike është ajo që ka propozuar Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar.

“Rikthimi i sovranitetit tek populli, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme, parakusht është largimi i Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA