Gara për titullin kampion në Bundesligën gjermane ka hyrë në një fazë kulmore me kalendarin e afërt që do të ofrojë disa përplasje vendimtare. Por kur duhen dy muaj nga fundi i sezonit, Borussia e Dortmundit do të duhet të bëjë llogaritë pa Christian Pulisic në 3-4 javët e ardhshme.

Lojtari amerikan u dëmtua me kombëtaren, në ndeshjen që SHBA-të luajtën ndaj Kilit dhe ishte Pulisic ai që shënoi gol fillimisht për ekipin e tij, e më pas u dëmtua. 20-vjeçari ka pësuar tërheqje muskulore në kofshën e djathtë dhe “ESPN” bëri me dije se mesfushori me tipare sulmuese duhet të qëndrojë të paktën një muaj pushim si pasojë e dëmtimit.

Trajneri Lucien Favre konfirmoi se Pulisic nuk do të luajë në ndeshjen ndaj Wolfsburg këtë të shtunë. Gjithsesi trajneri duhet t’i bëjë llogaritë pa të edhe për sfidën ndaj Bayern Munich më 6 prill, po ashtu edhe për atë ndaj Mainz dhe Freiburg.

Rikthimi i tij mund të jetë në fund të muajit, për sfidën që Dortmund do të presë në shtëpi Schalke 04. Pulisic është lojtari i Chelsea i lënë në huazim te skuadra gjermane, pasi klubi londinez e bleu në janar për 67 milionë euro.

Talenti me origjinë kroate që ishte kohë më parë në dyshim për zgjedhjen e përfaqësueses, hyri në historinë e kombëtares amerikane si më i riu që kalon shifrën e dyfishtë të golave, saktësisht në moshën 20 vjeç e 189 ditë.

Top Channel