Ole Gunnar Solskjaer është zyrtarisht trajner me kohë të plotë i Manchester United.
Klubi anglez e bëri të ditur këtë nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen e tij të internetit. Trajneri norvegjez e mori drejtimin e Manchester United në muajin dhjetor, teksa u caktua si trajner i komanduar i “Djajve të Kuq” në vend të Jose Mourinho që u shkarkua. Kur Solskjaer e mori drejtimin e United, skuadra ishte në vendin e 6 në Premier League dhe 11 pikë prapa skuadrës që kryesonte.
Në 13 ndeshje të zhvilluara me norvegjezin në pankinë, Manchester United ka humbur vetëm një, atë me Arsenalin dhe tani është vetëm 2 pikë larg “Topçinjve” për zonën Champions.
Por jo vetëm kaq, Solskjaer është trajneri i parë i Manchester United që fiton 6 ndeshjet e tij të para në kampionat, duke thyer rekordin e Sir Matt Busby. Edhe në Evropë, Manchester United po bën mjaft mirë pasi u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampioneve pasi eliminoi Paris Saint Germain në Francë, teksa përmbysi humbjen 0-2 të pësuar në “Old Trafford”.
Si futbollist, Ole Gunnar Solskjaer ka qenë pjesë e Manchester United për 11 sezone në 1996-2007, duke zhvilluar 366 ndeshje e duke shënuar 126 gola. Në 1999 ai u bë heroi i Manchester United në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Bayern Munchen teksa shënoi golin e fitores 2-1 ndaj bavarezëve, një fitore kjo që erdhi vetëm në minutat shtesë të sfidës.
Top Channel