Parlamenti Europian votoi për vazhdimin e mandatit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Parlamenti e miratoi nismën e Tanja Fajon, eurodeputete dhe raportuese për liberalizimin e vizave me Kosovën, me 331 vota pro dhe 126 kundër.

Ky votim, sipas ekspertëve nënkupton edhe vazhdimin e mbështetjes së europarlamentarëve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pra, ai do të jetë i vlefshëm edhe në përbërjen e ardhshme të Parlamentit, pas zgjedhjeve që do të mbahen në muajin maj.

Parlamenti Europian e ka votuar më herët një rezolutë që kërkonte nga vendet e BE-së heqjen e regjimit të vizave për kosovarët, sipas rekomandimit të Komisionit Europian. Por, ajo rezolutë nuk i bindi disa ministra të Brendshëm të vendeve anëtare të bllokut.

“Tani i takon Këshillit Europian të bëjë punën e tij”, shkroi Fajon në Twitter. “Shumica votoi në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. I bëjmë thirrje Këshillit të veprojë tani”, këmbënguli ajo.

Në sallë pati debate, e dallimet mbi këtë çështje ishin të qarta. Fajon këmbënguli të tregonte se BE-ja ka dështuar të realizojë premtimet e saj ndaj Kosovës.

Pas votimit reagoi Ramush Haradinaj, që në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës iu bëri thirrje anëtarëve të bllokut t’i japin drejtim kësaj çështjeje, ndërsa lëvizjen e lirë e konsideron si të drejtë të fituar dhe të pakontestueshme, tani kur mbushen 7 vite nga dita e dorëzimit të udhërrëfyesit për vizat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA