Pas hapësirës së pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve për kualifikueset e “Euro 2020”, kampionati shqiptar rikthehet me javën e 26, e cila hapet me superndeshjen mes vendit të dytë dhe vendit të parë, Kukësi-Partizani.

“Të kuqtë” do të kenë 6 mungesa kryesore në këtë ndeshje, që bëjnë me dhimbje koke Skënder Gegën, megjithatë trajneri i Partizanit shprehet optimist, pavarësisht vështirësive.

Kukësi, si organizator i kësaj ndeshjeje ka vendosur ta luajë atë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke qenë se në këtë sezon nuk ka një stadium të tijin.

Përpos kësaj, edhe çmimet e biletave variojnë nga 1.000 deri në 2.000 lekë, një përpjekje kjo për të vështirësuar praninë e tifozerisë mike.

Megjithatë, trajneri i verilindorëve Ramadan Ndreu, për këtë ndeshje që do të jetë ndoshta mundësia e fundit për të shpresuar te gara për titull këtë sezon, deklaroi se do të japin maksimumin.

Ndeshja mes Kukësit dhe Partizanit do të luhet ditën e premte, në orën 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Top Channel