Ajo e Donis Avdijajt është një nga historitë e shumta sesi një talent i pastër, mbi të cilin do të vinin bast të gjithë, u nënshtrua nga presioni dhe fama e po finalizon një parabol të trishtë rënieje në sportin më popullor të planetit.

Dikur i kërkuar me ngulm nga gjysma e skuadrave të Europës, tani, talenti i lindur në Osnabrück nga prindër shqiptarë po vuan për të bindur në teste të rëndomta edhe ekipe si…Pescara.

Një fenomen me të rinjtë e Schalke 04, nga ku siguroi dhe Kombëtaren e Gjermanisë, Donis Avdijaj arriti të shënojë në sezonin 2012-2013, si askush tjetër 44 gola në 25 ndeshje. Kaq mjaftoi që në klubin e Ruhrit t’i vendosin një klauzolë 49 milionë euro dhe të tërhiqte vëmendjen e menaxherëve më të njohur. Por, me sa duket, fama e rrënoi.

Dionis Avdijaj u transferua te Sturm Graz në Austri për të rigjetur formën, por nuk ia arriti dhe provoi së fundmi edhe një huazim, këtë herë te Roda në Holandë. Pikërisht atëherë, Schalke nuk besoi më te talenti shqiptar, duke e transferuar pa pagesë te Willem II. Këtu gjërat shkuan mirë për pak kohë, por më pas holandezët vendosën ta “shkarkojnë” diku tjetër.

Donis Avdijaj zbarkoi këtë javë te Pescara, për një provë që mediet thonë se nuk do ta kalojë. Kjo përfaqëson ndoshta tentativën e fundit për një anësor sulmues, që ishte lançuar drejt olimpit të futbollit, por që e sheh veten në skuadra modeste pa mbushur ende 23 vjeç.

Top Channel