Pjesëtarët e Orkestrës Simfonike të Çikagos kanë nisur një grevë pas 11 muajsh negociata që dështuan të arrinin në një marrëveshje.

Kontrata mes muzikantëve dhe shoqatës 128-vjeçare të orkestrës ka skaduar. Dhe tani, muzikantët kanë zgjedhur të luajnë falas dhe thonë se do të marshojnë për çdo ditë derisa një marrëveshje të arrihet.

Stephen Lester i Orkestrës Simfonike të Çikagos thotë: “Ka të bëjë me vizionin e të ardhmes së orkestrës. Shumëkush mund ta karakterizojë këtë në kuptimin e dollarëve dhe sa mund të kushtojë mbajtja e orkestrës, por ne do ta karakterizonim këtë si një kërcënim për integritetin artistik të orkestrës”.

Drejtuesit e orkestrës kanë lënë të kuptohet se mund të ketë edhe anulime të koncerteve të paracaktuara, pasi greva do të vazhdojë deri të premten, kur palët do të ulen sërish në bisedime.

Drejtuesit po u kërkojnë muzikantëve të pranojnë paga dhe përfitime të reduktuara pavarësisht rritjes së të ardhurave dhe një tjetër çështje shqetësuese është edhe ajo e pensioneve. Por, për muzikantët e gjithë kjo nuk ka të bëjë edhe aq me paratë, por me të ardhmen e një prej orkestrave më të mira në botë.

Top Channel