Epoka “Perez 2” te Reali, 1.2 mld euro shpenzime në merkato

26/03/2019 20:48

Militao është emri më i fundit që i është bashkuar Realit të Madridit. Ekipi “Los Blancos” i pagoi Portos 50 milionë euro për brazilianin, që bëhet qendërmbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e madrilenëve.

Për më tepër, Militao bëhet blerja e 48 e Florentino Perezit, në etapën e tij të dytë si president i Realit të Madridit.

Në total, që nga sezoni 2009-2010 e deri më sot, Reali ka investuar 1.2 miliardë euro në blerje futbollistësh. Ishte pikërisht ai sezon, kur Reali i Madridit vendosi një rekord me blerjet e tij, mes të cilëve Ronaldo, Kakà apo Benzema, teksa shpenzoi 255.5 milionë euro.

Por, gjatë kësaj kohe, klubi mbretëror iberik ka arkëtuar gjithashtu nga shitja e lojtarëve plot 681.85 milionë euro. Në këtë pikë, rekordin e mban Cristiano Ronaldo, që kaloi te Juventusi për 117 milionë euro.

Shpërndarja e shpenzimeve në merkato, të kryera nga Reali në etapën e dytë të Florentino Perezit si president, është e tillë: 63 milionë janë shpenzuar për 5 portierë, 275 milionë për 11 mbrojtës, 487 milionë për 21 mesfushorë dhe 386.5 milionë euro për 11 sulmues. Blerja më e shtrenjtë e klubit madrilen vazhdon të jetë Gareth Bale, me 101 milionë euro.

Por, Florentino Perez nuk ka ndërmend të ndalet. Kreu i “Los Blancos”-ve i ka premtuar Zidane tri blerje të mëdha për sezonin e ardhshëm, e ndonjë përforcim tjetër për ta bërë skuadrën edhe më konkurruese. Deri në këtë moment, me blerjen e Militaos për 50 milionë euro dhe Rodrygos për 45 milionë euro, Reali ka kapur shifrën e 95 milionë eurove shpenzime.

Nëse konfirmohen zërat për ofertën e 280 milionë eurove për Mbappe, rekordi i investimeve i sezonit 2009-2010 do të fshihet krejtësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA