Apple ka prezantuar platformën e tij të re të transmetimeve televizive, Apple TV+ në një event në Kaliforni.

Jennifer Aniston, Steven Spielberg dhe Oprah Winfrey ishin mes atyre që u ngjitën në skenë për të zbuluar angazhimin e tyre në projekte televizive të porositura nga gjigandi i teknologjisë.

Platforma do të përfshijë edhe spektakle nga shërbime ekzistuese si Hulu dhe HBO. Po ashtu, Apple njoftoi se do të lançojë një kartë krediti, një portal kumari dhe një aplikacion të ri lajmesh.

Eventi i prezantimit të shërbimeve të reja u mbajt në Kaliforni dhe drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook, ishte i qartë që nga fillimi, se risitë kishin të bënin me shërbime të reja, jo me aparate të reja. Dhe ky është në fakt një ndryshim në trajektore për kompaninë 42-vjeçare.

“Historitë e mëdha mund të na frymëzojnë. Ato na sfidojnë po ashtu. Ne e ndjejmë se mund të kontribuojmë në diçka të rëndësishme për kulturën dhe shoqërinë tonë”, deklaroi Cook.

Kishte shumë pritshmëri për përfshirjen e paralajmëruar të Apple në tregun e transmetimeve televizive të dominuar nga Amazon apo Netflix. Aplikacioni Apple TV+ u prezantua nga Steven Spielberg dhe do të nisë funksionim në vjeshtë. Vetë Spielberg do të krijojë materiale për platformën e re.

Përsa i përket aplikacionit të ri Apple News+, ai do të përmbajë më shumë se 300 tituj revistash, mes të cilëve Marie Claire, Vogue, New Yorker, Esquire, National Geographic dhe Rolling Stone. LA Times dhe Wall Street Journal po ashtu do të jenë pjesë e platformës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA