Intervista e trajnerit të Kombëtares Ervin Bulku, dhënë pas ndeshjes Andorra-Shqipëri, e cila u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin e thellë 0-3.
Debutuat me sukses. Çfarë kishte ndryshuar te skuadra e sotme?
Nuk ndryshuam asgjë, por të gjithë çunat dhanë më të mirën sot, pasi vlerësuan rëndësinë e ndeshjes dhe treguan cilësitë që kanë. Treguam se jemi të bashkuar në një ndeshje shumë të rëndësishme.
A morët mesazh nga Panucci sonte?
Kur të shkoj në hotel, do të shoh telefonin, pasi nuk e kam me veten.
Mendoni se do të shikonim të njëjtën skuadër, edhe po të ishte Panucci në stol?
Nuk di të them pasi kishim folur shumë pak për ndeshjen më Andorrën, por mendoj se edhe ai do bënte pak a shumë të njëjtat zgjedhje.
A ishte kjo një fitore morali?
Ishte një ndeshje e përgatitur për t’u fituar me çdo kusht dhe me çdo mënyrë, E thashë edhe dje në konferencë, që duhet ta fitojmë patjetër takimin. Ishte një fitore morali pa diskutim, por edhe pikët janë shumë të rëndësishme në këtë moment që jemi. Jam dakord që ishte kundërshtar i dobët, por nuk është fort e thjeshtë ndaj tyre.
A mendoni se lojtarët reaguan edhe për shkak të deklaratës së Panuccit?
Sot u kërkova çunave që të futeshin në fushë me mendimin që kemi të bëjmë me një ndeshje që duhet fituar patjetër.
Top Channel