Edhe pse është larguar si trajner i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi gjen gjithnjë mundësinë për të folur për skuadrën kuqezi me të cilën arriti të bëhej protagonist në Evropianin e Francës në vitin 2016.
Së fundmi trajneri italian që tani është në rolin e opinionistit te programi “90 minuto” te Rai Due, preku temën e shkarkimit të trajnerit Panucci nga drejtimi i skuadrës sonë përfaqësuese, pas humbjes me Turqinë.
“Shqipëria? Më vjen keq që Panucci e mbylli këtë eksperiencë, por nuk di asgjë më shumë. Më vjen keq sepse mbetem një tifoz i Shqipërisë”, tha De Biasi.
Ish trajneri i kuqezinjve u largua nga drejtimi i kombëtares shqiptare në qershor të vitit 2017, menjëherë pas fitores 3-0 të Kombëtares shqiptare ndaj Izraelit në kualifikueset e Botërorit 2018, por pa e mbyllur këtë fushatë.
Vendin e tij e mori pikërisht Christian Panucci, i cili nuk mundi dot të përsërisë arritjet e bashkëkombësit e tij hija e të cilit duket se rëndonte shumë mbi të, për t’u larguar pikërisht këtë fundjavë nga Shqipëria.
Top Channel