Pushimi i pranverës është një periudhë festive në SHBA kur ekzagjerohet me festat, por në plazhin e Miamit, një nga qendrat e këtyre festave, banorët janë të ngopur.

Çdo mars, zona përballë oqeanit gumëzhin nga studentë nga i gjithë vendi, që konsumojnë alkool, festojnë dhe ekzagjerojnë. Mania për të pirë alkool ka arritur nivele kaotike aq të larta, me zënka pijanecësh në plazh dhe një turiste që gjeti vdekjen pasi ra nga një dritare makine, saqë autoritetet kanë vendosur t’iu vënë frè festimeve të egra.

“Çdo vit ekzagjerimi shtohet. Viti i kaluar ishte ndoshta më i vështiri, pasi kemi parë turma të stërmëdha nëpër rrugë”, tha Daniel J. Oates, shef i policisë.

Ndërsa nata bie, turma lëviz më thellë në “Ocean Drive” dhe rruga përgjatë bregut, plot me bare dhe restorante, është epiqendra e festës.

“Policia është e pranishme, sepse gjithçka ndodh bëhet virale në Tëitter, Facebook dhe Instagram. Ka pasur përleshje, por sigurisht që do ketë nëse ka alkool”, tha Donyae Webb, studente.

“Askush nuk na ka shqetësuar. Pamë disa përleshje, u trazuam pak. Por pamë edhe policët me jelekë antiplumb dhe të armatosur. Në njërën anë ndihem i sigurtë, por më duket edhe sikur jam në Irak”, tha Mike Kellog, turist nga Teksasi.

Situata i ka lodhur jo pak banorët lokalë, ndërkohë që slogani që ka zgjedhur policia këtë vit, për të gjithë ata që i drejtohen Miamit për pushimin e pranverës, është “Ejani me pushime, mos u largoni me dënime”.

FOTO GALERI
9/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA