Erdhi te Shqipëria në verën e 2017-ës, për të zëvendësuar patriotin e tij, Gianni De Biasi, por Christian Panucci nuk ia doli të lërë gjurmë, duke u shkarkuar pas më pak se dy vitesh.

Ish mbrojtësi i Romës, Milanit, Interit dhe Realit të Madridit, vinte me një CV të vakët në fushën e trajningut, por me dëshirën e madhe për të bërë mirë.

Debutimi i tij erdhi më 2 Shtator, në ndeshjen ndaj Lichtensteinit, të cilën kuqezinjtë e fituan me rezultatin 2-0, falë golave të Roshit dhe Agollit, ndërsa 3 ditë më pas Shqipëria e Panuccit mori një barazim 1-1 në transfertën ndaj Maqedonisë, në Strumicë.

Megjithatë grumbullimi i parë i Panuccit u shënjua nga përjashtimi i Sokol Cikalleshit, që ishte në listën e të grumbulluarve, por kishte kërkuar një ditë lejë, për të nënshkruar kontratën me një skuadër turke.

Më pas erdhën 3 ndeshje radhazi, ndaj Italisë, Spanjës dhe Turqisë, ku të kuqtë fituan vetëm këtë të fundit, por dhanë sinjale se mund të bëjnë futboll të bukur edhe ndaj kundërshtarëve të mëdhenj.

Viti 2018 ishte i tmerrshëm për Kombëtaren Shqiptare nën drejtimin e Panuccit, pasi kuqezinjtë humbën 3 nga 4 miqësoret e luajtura.

Edhe në Ligën e Kombeve, kuqezinjtë dështuan totalisht, duke u renditur të fundit në një grup me 3 skuadra dhe ku humbën 3 nga katër takimet, duke fituar vetëm ndeshjen me Izraelin në “Elbasan Arena”.

Ky vit u shënjua nga debatet mbi grumbullimin e kapitenit Ansi Agolli, i cili u la përfundimisht jashtë kombëtares, ndonëse vijonte të luante në nivele të larta, me Qarabagun në Kazakistan.

Edicioni i eliminatoreve të Euro 2020-ës ishte edhe shansi i fundit për të shpëtuar pankinën e Panuccit, por kuqezinjtë dështuan që në start, duke u mposhtur nga Turqia me rezultatin 0-2.

Edhe para këtij grumbullimi, Panucci tensionoi situatën në grup, duke lënë jashtë skuadre portierin Thomas Strakosha, për një incident të pafat dhe duke u përfshirë në debat mediatik me Ermir Lenjanin.

Por fundi i takimit me Turqinë, kur Panucci hoqi çdo përgjegjësi nga vetja, duke kaluar ato të gjitha te futbollistët që ka në dispozicion, duket se ka bindur FSHF-në t’i japë duart teknikut.

Panucci mbylli kështu aventurën e tij te Shqipëria, ku qëndroi për plot 15 takime, nga të cilat fitoi 4, barazoi 2 dhe humbi 6 të tjera.

Përkohësisht, Kombëtarja do të drejtohet nga ndihmësi shqiptar i Panuccit, Ervin Bulku, i cili përveç stafit të italianit, do të ndihmohet edhe nga një emër i njohur i futbollit shqiptar, si Sulejman Mema.

Megjithatë ky duket se është një vendim që duket se do ët vlejë vetëm për ndeshjen me Andorrën, pas 3 ditësh, ndërsa më pas FSHF-ja do të kërkojë për nëj tjetër emër ëpr stolin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA