Pas plot një muaji pushim të detyruar, futbollisti gjerman Sami Khedira do të rikthehet në dispozicion të Juventusit, duke përforcuar grupin e kampionëve të Italisë në një pikë vendimtare të sezonit.

Mesfushori energjik, i cili iu nënshtrua një analize të detajuar në muajin shkurt për probleme me zemrën, kaloi me sukses të gjitha testet kardiologjike dhe mund të rinisë aktivitetin sportiv, madje në mënyrë intensive.

Stafi mjekësor kishte vendosur një ndalesë të gjatë për Sami Khedirën, me frikën se sforcimi fizik mund të sillte probleme të rënda shëndetësore për lojtarin. Tragjedia e pak kohëve më parë me Davide Astorin shërbeu si një kambanë alarmi, por fatmirësisht, në rastin e Khedirës nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Mesfushori gjerman mund të konsiderohet “blerja e muajit mars”, pasi aritmia kardiake që kishte shfaqur tashmë është lënë pas dhe ai mund të luajë që në ndeshjen e ardhshme kundër Empolit.

Objektivi kryesor i stafit teknik të Juventusit është të ketë në dispozicion Sami Khedirën më 10 prill, kur të luhet përballja e Champions League kundër Ajaksit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA