Një nga fëmijët e gjendur në autobusin e shkollës që u mor peng një ditë më parë në Itali, po konsiderohet hero nga shokët e tij, pasi siç tregojnë ata, ai i ka shpëtuar të gjithë.
Shoferi i autobusit e rrëmbeu atë me 51 nxënës shkolle në bord dhe më pas i vuri flakën, në afërsi të Milanos. Fëmijët, që fatmirësisht shpëtuan të gjithë, thonë tani se një 13-vjeçar, Rami Shehata e kish fshehur telefonin e tij kur shoferi ua kish marrë të gjithë të tjerëve. Me atë telefon ishte njoftuar më pas policia. “Ai është heroi ynë”, thotë një shok klase.
Sipas mediave, Rami e kishte bërë telefonatën ndërsa pretendonte se po falej në gjuhën arabe, por në fakt ai po i kërkonte ndihmë të atit.
Familja e Ramit, ka ardhur nga Egjipti dhe vetë 13-vjeçari lindi në 2005 në Itali, por nuk ka mundur të sigurojë asnjë dokumentacion shtetësie.
E trimëria e tij në aksident, mund edhe ta ndihmojë…”Djali im bëri detyrën. Do të ishte mirë nëse do të merrte shtetësinë italiane tani”, tha i ati.
Dhe zëvendëskryeministri Luigi Di Maio, është i gatshëm t’ia japë shtetësinë duke thënë se e meriton. Por, ministri i Brendshëm Salvini heziton: do ta shqyrtojmë- ka qenë përgjigja e tij.
Top Channel