“Siç mund ta shihni, jam shumë i frikësuar”, tha me ironi presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ndërsa zhurmat e protestuesve mbërritën deri në sallën ku po jepte një konferencë për shtyp.
Pavarësisht qëndrimit të tij, ngjarjet e fundjavës së kaluar në Serbi mund të përfaqësojnë një pikë kthese në valën e demonstratave që vazhdojnë në mbarë vendin prej 3 muajsh e gjysmë.
Më 16 mars, ajo që duhej të ishte një protestë e zakonshme rruge, mori formën e një mësymjeje spontane të ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë.
Edhe pse nuk pati të plagosur rëndë dhe policia i nxori tubuesit pas disa orësh, kjo ishte shenja e parë e radikalizimit të një vale indinjate, që deri atëherë kishte qenë paqësore.
RTS është akuzuar shpeshherë për raportime në favor të partisë progresive të Vuçiçit dhe që kur protestat nisën në fillim të dhjetorit, asnjë prej organizatorëve të tyre nuk është lejuar të shfaqet në ndonjë program të drejtpërdrejtë të këtij televizioni.
Kjo ishte edhe kërkesa e parë e atyre që hynë me forcë në godinë. Disa analistë mendojnë se protestat në Malin e Zi, Shqipëri e Serbi janë frymëzuar nga skenari maqedonas, që çoi në rrëzimin e regjimit të Nikola Gruevskit me zgjedhje demokratike, e pa u derdhur asnjë pikë gjak.
Vala e demonstratave në Malin e Zi, kundër sundimit gati tridekadësh të Milo Gjukanoviçit, thonë ekspertët, mund të mos e sjellë në të vërtetë largimin e tij, por reflekton për çdo rast zgjim të shoqërisë malazeze dhe ndërgjegjësimin e saj për fuqinë e aktivizmit qytetar.
Top Channel