Kombëtarja shqiptare do të nisë aventurën e saj në kualifikueset e “Euro 2020” me një pamje të re. Pasditen e së mërkurës është prezantuar fanella e re e kuqezinjve, për meshkuj e femra, për sezonin 2019-2020, e krijuar nga kompania “Macron”.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishte i pranishëm presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që theksoi se shpreson që kjo unifiormë e re të jetë një ogur i mirë për skuadrën përfaqësuese në këtë aventurë të re.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në këtë javë të rëndësishme, ku kemi prezantuar edhe sponsorin e përgjithshëm, Vodafone Albania, si edhe sponsorë të tjerë. Të gjitha këto shpresoj që të sjellin një paraqitje të mirë të ekipit përfaqësues. Uroj që ndeshjen e parë ndaj Turqisë të kemi sukses dhe ta nisim me këmbën e mbarë. Po ashtu i uroj shumë suksese edhe sponsorit tonë Macron, i cili në çdo rast na është përgjigjur për kërkesat që kemi pasur. Edhe njëherë faleminderit dhe ditën e premte shpresoj që të gjithë bashkë të gëzojmë me një rezultat pozitiv të ekipit tonë kombëtar”, tha Armand Duka.
Futbollistët e Kombëtares shqiptare do të zbresin në fushën e lojës me uniformën e re, pikërisht mbrëmjen e së premtes në ndeshjen me Turqinë, që do të luhet në “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Top Channel