Dueli për vendin e titullarit te përfaqësuesja gjermane duket se ka ndikuar në raportet mes dy portierëve të saj, Manuel Neuer dhe Marc-Andre Ter Stegen.

Ftohtësia mes tyre u pa në pushimin e sfidës miqësore që Gjermania zhvilloi ndaj Serbisë, kur portieri i Barcelonës hyri në fushën e lojës për të zëvendësuar Neuerin, me portierët që nuk shkëmbyen as një shikim mes tyre. Neuer u ul përkrah trajnerit të portierëve, Andreas Koepke, të cilin e përshëndeti.

“Neuer vazhdon të jetë portieri ynë i parë, por duhet të ketë të njëjtin rendiment si të tjerët”, tha trajneri Joachim Loë. Ndërkohë Lothar Mattheus, në rolin e opinionistit në platformën “SKY” kërkoi një ndërrim të ciklit, sa i përket portës së Gjermanisë.

“Në këtë moment, Neuer nuk ka as formën dhe as sigurinë që kishte përpara se të pësonte atë dëmtim të rëndë”, tha Matthaeus. “Besoj se Ter Stegen e fitoi pak nga pak të drejtën për të pasur mundësinë për të luajtur një ndeshje të rëndësishme të Gjermanisë si titullar, edhe pse Neuer është i gatshëm”.

Dueli personal mes dy portierëve, në miqësoren me Serbinë u fitua në fakt nga Ter Stegen. Ndërsa Neuer u mposht në pjesën e parë nga Luka Joviç, në 45 minutat e dyta Ter Stegen ishte në gjendje që të mbante të paprekur portën e tij. Kjo edhe për lojën jo të mirë të shfaqur nga përfaqësuesja serbe pas pushimit të sfidës.

Gjermania do të nisë kualifikueset e “Euro 2020” me sfidën ndaj Holandës dhe Loë i ka larguar të gjitha dyshimet. Titullar do të jetë Neuer, por Ter Stegen do të jetë gjithnjë në gatishmëri, gjë që e deklaroi edhe për median.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA